Vazhdojnë luftimet Tajlandë -Kamboxhia, nuk respektohet armëpushimi

Vazhdojnë luftimet Tajlandë -Kamboxhia, nuk respektohet armëpushimi

Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë vazhduar edhe të shtunën, pavarësisht deklaratave për një armëpushim, duke shkaktuar viktima, evakuime masive dhe duke vënë në pikëpyetje përpjekjet diplomatike për ndaljen e konfliktit kufitar.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se të dyja palët ishin pajtuar për një armëpushim, pas bisedave me liderët e vendeve përkatëse. Megjithatë, as Tajlanda dhe as Kamboxhia nuk kanë konfirmuar publikisht ndaljen e menjëhershme të luftimeve.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, ka deklaruar se një armëpushim është i mundur vetëm pasi Kamboxhia të tërheqë forcat e saj nga kufiri dhe të largojë minat tokësore. Ai ka theksuar se Tajlanda do të vazhdojë veprimet ushtarake derisa të mos ketë më kërcënime ndaj territorit dhe qytetarëve të saj.

Të dyja palët kanë raportuar për bombardime dhe shkëmbime artilerie përgjatë vijës kufitare. Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias ka njoftuar se avionë luftarakë tajlandezë kanë goditur disa objektiva, ndërsa autoritetet tajlandeze kanë raportuar për civilë të plagosur si pasojë e sulmeve me raketa nga ana e Kamboxhias.

Sipas të dhënave të fundit, të paktën 21 persona kanë humbur jetën nga përleshjet e fundit, ndërsa rreth 700 mijë persona janë evakuuar në të dyja anët e kufirit.

Kryeministri tajlandez ka theksuar se vendi i tij nuk është agresor në këtë konflikt, ndërsa udhëheqja kamboxhiane ka deklaruar se luftimet do të vazhdojnë për të mbrojtur sovranitetin kombëtar.

Konflikti kufitar mes dy vendeve u përshkallëzua më 24 korrik, pas sulmeve me raketa nga ana e Kamboxhias ndaj Tajlandës dhe kundërpërgjigjes me sulme ajrore nga forcat tajlandeze. Të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve.

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë një mosmarrëveshje kufitare që zgjat më shumë se një shekull, përgjatë një kufiri tokësor prej rreth 800 kilometrash, i cili është përcaktuar fillimisht në vitin 1907 gjatë sundimit kolonial francez në Kamboxhia.

Related Articles