Agjencia shtetërore e lajmeve në Kuvajt raportoi më 1 prill se dronë “të mbështetur nga Irani” shënjestruan rezervuarë karburantesh në aeroportin e shtetit. Zyrtarët në Kuvajt thanë se aeroporti ka qenë vazhdimisht i shënjestruar javët e fundit dhe hapësira ajrore e shtetit mbetet e mbyllur që nga 28 shkurti.
Më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit. Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar me raketa dhe dronë Izraelin, bazat ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe infrastrukturë tjetër në rajon.
Sipas një zëdhënësi të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kuvajtit, sulmi ndaj rezervuarve të karburanteve shkaktoi një zjarr të madh, por nuk ka viktima.
Në Bahrejn, zjarri në një ndërtesë komerciale iu atribuua “agresionit iranian”. Arabia Saudite njoftoi se kishte penguar dhe shkatërruar disa dronë.
Ndërkaq, një cisternë nafte në ujërat afër Katarit u godit nga dy predha më 1 prill, duke shkaktuar dëmtime në anije, por në mesin e ekuipazhit nuk pati lëndime dhe po ashtu nuk është raportuar për kontaminim të mjedisit. Më herët, një cisternë nafte e Kuvajtit u sulmua në një port të Dubait.
Këto sulme vijnë në kohën kur Irani ka kërcënuar se do të godasë infrastrukturën kritike energjetike, veçmas ndërtesat e energjisë në rajon, pas nisjes së luftës.
Mbrëmjen e 31 marsit, një grup i armatosur irakian, i lidhur me Teheranin, paralajmëroi SHBA-në se duke përdorur tokën e Kuvajtit për një sulm tokësor ndaj Iranit do të përshkallëzohej konflikti “në një luftë në shkallë të gjerë”.
Abu Alaa al-Walai, komandant i grupit Kataeb Sayyid al-Shuhada përmes një mesazhi në X tha se nëse përdoret toka e Kuvajtit, “boshti i rezistencës” do ta shohë këtë si shkelje të kufijve të sigurisë të rajonit dhe do të përgjigjet, njofton rel.
Al-Walai po ashtu paralajmëroi, duke iu referuar sulmit tokësor të Izraelit në Liban, se do të përgjigjet.
Më 1 prill, Arabia Saudite njoftoi po ashtu se kishte krijuar linja autobusësh në dy aeroportet në qytetet Daman dhe Kaisuma, për njerëzit që planifikojnë të largohen nga Kuvajti.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se po monitoron kërcënimet ndaj shtetasve amerikanë në Arabinë Saudite dhe u bëri thirrje atyre të qëndrojnë aty ku janë. Ambasada amerikane paralajmëroi se lokacionet sikurse hotelet, bizneset dhe institucionet arsimore të lidhura me SHBA-në mund të jenë në shënjestër dhe u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg dritareve deri në një njoftim të dytë.
Ky paralajmërim i SHBA-së erdhi pasi Garda Revolucionare Islamike, që është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, njoftoi se do të shënjestronte kompanitë amerikane në Lindjen e Mesme duke nisur nga 1 prilli në përgjigje të sulmeve të fundit.
