Në Novi Sad po zhvillohet dita e pestë e bllokadës së Gjykatës së Lartë, në shenjë proteste për ndalimin e gjashtë aktivistëve dhe studentëve që ndodhen në paraburgim prej më shumë se dy muajsh, nën akuzat për përpjekje për ta rrëzuar rendit kushtetues.
Bllokada më 15 maj, me thirrjen e studentëve, pasi gjykata mori vendim për zgjatjen e paraburgimit aktivistëve dhe studentëve.
Studentët, bashkë me qytetarë dhe aktivistë, qëndruan para gjykatës edhe gjatë fundjavës.
Ashtu si në ditët e para të protestës, edhe të hënën në mëngjes qytetarë, studentë dhe aktivistë u mblodhën para ndërtesës së gjykatës, ndërsa policia ishte e pranishme pranë hyrjes kryesore. Të gjitha hyrjet ishin të bllokuara, dhe organizatorët thanë se do të qëndrojnë aty deri në lirimin e të ndaluarve.
Studentët u bënë sërish thirrje punonjësve të përfshirë në çështjen gjyqësore që të shkojnë në punë.
“Nuk ka nevojë të futen nga hyrjet anësore, le të hyjnë nga kryesorja – do t’i lejojmë”, deklaruan ata.
Para gjykatës ndodhej edhe familja e profesoreshës dhe aktivistes nga Novi Sadit, Marija Vasiq, e cila ndodhet në grevë urie në paraburgim. Ajo u transferua në fundjavë në spitalin e burgut në Beograd për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
I biri, Millan Çanak, tha se familja nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar për gjendjen e saj.
“Zero informacion”, u shpreh shkurtimisht ai të hënën para gjykatës.
Marija Vasiq e nisi grevën më 13 maj.
Komisioni Evropian “thellësisht i shqetësuar” për Vasiqin
Komisioni Evropian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të profesoreshës dhe aktivistes Marija Vasiq.
“Ne presim që autoritetet të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i ofrojnë asaj kujdes të përshtatshëm mjekësor”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Komisioni Evropian deklaron gjithashtu se po e monitoron nga afër këtë rast dhe se, ashtu si në raste të tjera, edhe në këtë rast duhet të sigurohet një gjykim i drejtë.
“Ne presim që kushtet e paraburgimit të jenë në përputhje me respektimin e të drejtave themelore, përfshirë dinjitetin njerëzor”, tha Komisioni Evropian kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë se si e shohin rastin e paraburgimit të aktivistëve dhe studentëve të Novi Sadit, si dhe zhvillimet pas grevës së Marija Vasiq.
Të hënën reagoi edhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, duke thënë se “të gjitha informacionet e lejueshme me ligj për gjendjen shëndetësore të Marija Vasiqit janë të disponueshme për publikun qysh nga fillimi”.
Sipas komunikatës, në ditën e parë të transferimit të saj në spitalin e burgut në Beograd, autoritetet njoftuan se ajo ishte vendosur në terapi me infuzion dhe se përkujdesja ndaj saj vazhdon në Spitalin Special të Burgut pas zhvendosjes nga Novi Sadi.
Aktivistët nga Novi Sadi – Mlladen Cvijetiq, Srxhan Gjuriq, Lazar Diniq, Lado Jovoviq, Davor Stefanoviq dhe Marija Vasiq – u arrestuan më 14 mars, një ditë para një proteste masive në Beograd.
Ata akuzohen për përgatitje të veprës penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë.
Para arrestimit të tyre, në televizione proqeveritare me mbulim kombëtar u transmetua një audio-incizim i një bisede të përgjuar gjatë një takimi të aktivistëve, ku diskutohej për planet që gjatë protestës në Beograd të promovohej ideja e një qeverie kalimtare dhe të organizohej një hyrje në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar disa herë se biseda është përgjuar në mënyrë të paligjshme nga Agjencia për Siguri (BIA) dhe se incizimi nuk mund të përdoret si provë e vlefshme ligjore në këtë proces.
Më 15 maj, avokatët e të ndaluarve dorëzuan ankesë kundër vendimit të gjykatës për zgjatjen e paraburgimit për edhe 30 ditë.
Avokati i Lazar Diniqit, Veljko Miliq, tha të hënën gjatë bllokadës se gjykata ka detyrimin të veprojë me urgjencë në këtë rast, edhe pse ligjërisht nuk ka afat për shqyrtimin e ankesës.
Për lirimin e të ndaluarve më parë janë bërë thirrje nga studentët protestues, asamble qytetare, dhjetëra organizata joqeveritare dhe Parlamenti Evropian.