Vdekja e dyshimtë e foshnjës, flasin nga Spitali i Pejës

Vdekja e dyshimtë e foshnjës, flasin nga Spitali i Pejës

Një foshnje rreth një vjeç e gjysmë ka ndërruar jetë të enjten në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Policia ka hapur hetime, ndërsa rasti po trajtohet si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas raportit policor, babai i fëmijës ka njoftuar se ai kishte kërkuar trajtim për fëmijën në Spitalin e Pejës një ditë më parë, ku pas tretmanit ishte liruar për në shtëpi.

Familja dyshon se kujdesi mjekësor nuk ka qenë adekuat.

Mirëpo, Spitali i Përgjithshëm në Pejë, përmes një reagimi në Facebook, ka mohuar se ka pasur neglizhencë nga stafi mjekësor dhe ka shprehur ngushëllime për familjen.

“Fëmija është pranuar në spital në orën 22:15 të datës 5 nëntor me ankesa për të vjella. Pas trajtimit, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar me rekomandimin që të përcillet nga afër”, thuhet në reagim.

Sipas spitalit, mëngjesin pasues fëmija është sjellë sërish në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Menjëherë është trajtuar me oksigjen, terapi mbështetëse dhe është bërë intubimi nga ekipi i anesteziologëve. Pavarësisht masave reanimatore, fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, thuhet më tej.

Spitali ka bërë të ditur se rreth orës 09:13 ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera kompetente, sipas protokolleve ligjore.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes.

Related Articles