Hetimet preliminare për vdekjen e 34-vjeçares nga Gjakova, Artila Kamberi, e cila vdiq të enjten pasi dyshohet kërceu nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’, tashmë kanë nisur dhe Prokurori i Shtetit është në pritje të gjetjeve nga ekzaminimet që janë kryer. Për rastin tashmë janë intervistuar edhe disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe 32-vjeçari që po qëndronte me të ndjerën.
Prokurori i Shtetit, Armend Hamiti, ka bërë të ditur se nuk ka të arrestuar dhe deri më tash nuk ka persona që janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Hamiti tha se rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes/ Vetëvrasje” dhe në bazë të rezultateve, do të zbulohen edhe rrethanat e tjera të rastit.
“Rasti është duke u trajtuar me dyshimet si Hetim i vdekjes/vetëvrasje. Nuk ka persona të arrestuar. S’ka persona të dyshuar lidhur me rastin. Jemi në fazë të hetimeve. Jemi t’u këqyrë, tash po i pres rezultatet, ekspertizat, se a ka najsen tjetër.” – tha ai për Sinjalin.
Në kuadër të hetimit të rastit, është marrë deklarata e Asdren Begollit, 32-vjeçar nga Peja, i cili ishte bashkë me viktimën në momentin kritik, si dhe dëshmitë e dy personave të tjerë.
E ndjera ishte e njohur në qytetin e Gjakovës, pasi kishte biznesin e saj privat për shërbime estetike, për çka në të kaluarën ka pasur dhe paraqitje publike në disa prej mediave në vend.
Por si ndodhi ngjarja tragjike?
Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.
Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.
Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.
Ndërkohë Sinjali ka kontaktuar edhe hotelin ‘Venus’ për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të flasin, duke thënë se për çdo informatë duhet të kërkohet nga Policia.