Një person është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në fshatin Varagë e Poshtme, në komunën e Zubin Potokut, në veri të Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se rreth orës 13:25 të ditës së martë, është informuar nga stafi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zubin Potok për një person që dyshohej se ishte pa shenja jete.
“Njësitë relevante policore, bashkë me ekipin mjekësor, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e pajetë të viktimës B.R., 55 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas të dhënave fillestare, viktima është gjetur i varur me litar në ballkonin e shtëpisë së tij.
Ekipi mjekësor në vendngjarje ka konstatuar vdekjen.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “vdekje e dyshimtë”.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit janë në vazhdim.