Teatri i Gjilanit në zi, vdes aktori Muharrem Sylejmani

Teatri i Gjilanit në zi, vdes aktori Muharrem Sylejmani

Ka vdekur në moshën 67 vjeçare artisti i shumë shfaqjeve teatrale, Muharrem Sylejmani.

Sylejmani ishte bartës i 30 roleve kryesore dhe regjisor i dhjetëra shfaqjeve. Në Festivalin e Dramës origjinale shqiptare, e cila u mbajt më 22-26 janar 2020, Sylejmani fitoi çmimin për vepër jetësore. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur përmes faqes së Facebookut të Teatrit të Gjilanit.

Me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur nga Gjilani, Muharrem Sylejmani, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ngushëlluar familjen Sylejmani dhe komunitetin artistik. Në telegramin e kryetarit Haziri, thuhet:

“E nderuara familje Sylejmani, Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur gjilanas, Muharrem Sylejmani. Muharremi më nuk do të jetë në mesin tonë, por ne do ta kujtojmë përgjithmonë për kontributin e jashtëzakonshëm në Teatrin e Qytetit për disa dekada, i cili shkëlqeu në dhjetëra role si aktor e regjisor. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Sylejmani, komunitetit artistik, shokëve, miqve e farefisit. Lamtumirë, miku im!”, thuhet në telegramin e kryetarit Haziri.

Njëkohësisht, Teatri i Gjilanit i ka shprehur ngushëllime familjes Sylejmani për humbjen e më të dashurit të tyre.

Ngushëllime familjes dhe miqëve u kanë shprehur edhe kolegë, artistë të shumtë gjilanas e më gjërë, me të cilët aktori Sylejmani ka bashkëpunuar ndër vite e dekada, si pjesë e Ansamblit të Teatrit të Qytetit në Gjilanit.

Aktori Muharrem Sylejmani ndërroi jetë sot, më 1 shtator 2021, pas një sëmundje të gjatë. Ai do të kujtohet nga komuniteti i artistëve si bashkëpuntor e mik i të gjithëve, ndërsa krijimtaria e tij artistike do të mbahet mend ndër gjenerata, pasi i ndjeri ka realizuar rreth 30 role si aktor, si dhe numër të konsiderueshëm shfaqjesh në cilësi të regjisorit.

Related Articles