Charlie Kirk, aktivist konservator dhe aleat i ngushtë i presidentit Donald Trump, vdiq të mërkurën pasi u qëllua gjatë një ngjarjeje në një kolegj, tha Trump.
Kryetari i bashkisë së Orem-it, Utah, David Young, tha se i dyshuari për vrasjen e Charlie Kirkut është ende në arrati.
Një person i ndaluar në Universitetin e Luginës së Utah-it nuk ishte i dyshuari, sipas një burimi të njohur me hetimin, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale nga Univerisiteti Utah Valley, Kirk shfaqet duke rregulluar mikrofonin teksa qëndron i ulur në një tendë të bardhë dhe prapa shihen sloganet “Rikthimi amerikan” dhe “Më dëshmo të kundërtën”. Më pas dëgjohet një e shtënë e vetme me armë zjarri dhe Kirk shihet duke vendosur dorën e djathtë në plagë, teksa nga pamjet mund të shihet se ai ka gjakderdhje në pjesën e majtë të qafës. Pas kësaj, spektatorët e mbledhur shihen duke ikur nga vendi i ngjarjes.
Kirk ishte duke folur në një debat të organizuar nga organizata e tij politike jofitimprurëse. Ngjarja kishte shkaktuar opinione të ndryshme në kampus. Një peticion online, që u bënte thirrje administruesve të universitetit t’ia ndalonin pjesëmarrjen Kirkut, mori pothuajse 1.000 nënshkrime. Universiteti lëshoi javën e kaluar një deklaratë duke cituar Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane – që mbron të drejtën e lirisë së shprehjes e tubimit – dhe duke thënë se ky institucion është i përkushtuar për “lirinë e shprehjes dhe dialogut konstruktiv”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe një grup i zyrtarëve republikanë dhe demokratë dënuan të shtënat.
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, nga radhët e demokratëve, shkroi se “sulmi i tmerrshëm me armë sot në Universitetin e Luginës së Utah-it është i dënueshëm. Dhuna politike nuk ka absolutisht vend në kombin tonë”.
Kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur dhuna politike në Shtetet e Bashkuara po rritet në të gjitha pjesët e spektrit ideologjik. Sulmet përfshijnë vrasjen e një ligjvënëseje të shtetit të Minesotës dhe bashkëshortit të saj në shtëpinë e tyre në qershor, zjarrvënien gjatë një parade në Kolorado ku kërkohej lirimi i pengjeve nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe zjarrvënien në shtëpinë e guvernatorit të Pensilvanisë, i cili është hebre, ngjarje që ndodhi në prill.
Edhe Trump kishte qenë cak i një atentati gjatë një tubimi zgjedhor vitin e kaluar.
Ngjarja më e njohur ndër këto është të shtënat ndaj Trump gjatë një tubimi fushate vitin e kaluar.
Charlie Kirk ishte drejtues dhe bashkëthemelues i një organizate koservatore rinore, Turning Point.
Ajo u themelua në Çikago më 2012 nga Kirk – që atëbotë ishte 18 vjeç – dhe William Montgomery, me qëllim që në kampuse universitare të promovoheshin idetë për taksa më të ulëta dhe qeverisje më të limituar. Organizata nuk pati sukses të menjëhershëm.
Por, zelli i Kirkut për t’u konfrontuar me liberalët në kampuset universitare mori mbështetjen e një grupi të konservatorëve me ndikim.
Turning Point e ka mbështetur Trumpin pasi ai fitoi nominimin e republikanëve më 2016 për zgjedhjet presidenciale. Kirk ka qenë ndihmës personal i Donald Trump Jr., djalit më të madh të presidentit amerikan, gjatë fushatës zgjedhore.
Më pas, Kirk u bë gjithnjë e më i pranishëm në media dhe vazhdoi të mbështeste politikat e Trumpit.
Presidenti Trump dhe djali i tij kanë qenë folës në konferencat e organizatës Turning Point.