30-vjeçari nga Juniku Betim Gacaferi, ka humbur jetën në mënyrë tragjike gjatë bartjes së druve me traktor.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në Bjeshkët e Gjocajt.
“Rreth orës 15:45 policia është njoftuar se në bjeshkët e Gjocajt një person është rrokullisur me traktor. Policia dhe mjekët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku edhe është konstatuar vdekja e tij”, ka thënë Gashi.
Komuna e Junikut ka njoftuar se bëhet fjalë për të riun Betim Gacaferi.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e rëndë për ikjen e parakohshme të riut junikas, Betim Gacaferi. Ky aksident tragjik na ka tronditur të gjithëve, mirëpo Betimi do të mbetet i përjetshëm në kujtimet tona”, thuhet në njoftim.
Betimi ishte i martuar dhe la pas nënën, gruan dhe dy fëmijë.
Edhe babai i Betimit, Sokoli, kishte vdekur tragjikisht në avionin që u rrezua në Shkup në vitin 1992.
AAK duke ngushëlluar familjen e të ndjerit, ka kujtuar se ai ishte aktivisti i AAK-së dega në Junik, ish asambleist në kuvendin komunal të Junikut dhe kryetar i degës në lagjen Gacafer nga radhët e AAK-së.