Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare ish-ushtari i UÇK-së dhe veterani, Brahim Rrustemaj.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.
Sipas njoftimit mortor, varrimi i të ndjerit do të bëhet më 25 prill në ora 15:00 në varrezat e fshatit Skivjan. Ndërsa, e pamja do të mbahet në shtëpinë e të ndjerit në Skivjan.
Përmbledhje për jetën dhe veprën e Brahim Rrustemaj
Brahim Rrustemaj lindi me 10 qershor, të vitit 1951 në fshatin Skivjan të komunës së Gjakovës.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1966. Në vitin 1970, kreu akademinë e kadetëve ushtarak në Novi Sad , ku edhe punoi në spitalin ushtarak për disa vite.
Pastaj u transferua në Mal të Zi. Një kohë punoi në qytetin, Hercegnov, e pastaj në Podgoricë deri në vitin 1987, kur e braktisë uniformën .
Brahimi, ishte një ushtarak i dalluar i shërbimit Shëndetësor në repartin e UÇK-së. Në vitin 82/83 për shkak të aktiviteteve kombëtare, është burgosur dhe dënuar me 12 vjet burgim nga gjykatat serbo-jugosllave.
Në vitin 1987, është arratisur nga Burgu i Nishit dhe ka emigruar në Holandë.
Brahimi, edhe pse ishte në mërgim, ai la luksin në Holandë, dhe u kthye në vendlindje gjatë kohës së luftës.
Në vitin 1999, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brigadës 138 “Agim Ramdani” dhe ishte pjesë e Shërbimit Shëndetësor në Brigadë edhe gjatë Betejës të Koshares.