Në moshën 84-vjeçare ka vdekur profesori dhe intelektuali i shquar, Abdullah Karjagdiu, pas një sëmundjeje të gjatë.
Profesor Karjagdiu ishte një ndër profesorët e parë universitar të gjuhës dhe letërsisë angleze. Një kohë punoi mësimdhënës i anglishtes, frëngjishtes dhe shqipes në shkollat e mesme të Prizrenit, pastaj në të përditshmen “Rilindja”.
I ndjeri ka qenë autor i dhjetëra veprave universitare, si dhe përkthyes i kryeveprave letrare. Në mesin e kryeveprave të përkthyera nga Karjagdiu është edhe “Autobiografia” e veprimtarit shqiptar Fan Noli, si dhe “Kosova një histori e shkurtër” e historianit Noel Malcolm.
Ai përgjatë karrierës ka ushtruar edhe funksionet sikundër vijojnë: Shef i Departamentit të Letërsisë dhe Gjuhës Angleze, prodekan dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë, nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja.
Ai po ashtu ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.
Varrimi i të ndjerit është bërë të shtunën në varrezat e Prishtinës, në “Arbëri”, në orën 13:30.