Një i paraburgosur me inicialet K.K. ka vdekur në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pasi iu përkeqësua gjendja derisa ishte në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se mbrëmë, rreth orës 23:20, në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë i paraburgosuri K.K. I paraburgosuri K.K, po mbahej në Burgun e Sigurisë së Larte, ku gjatë ditës së djeshme, kishte shfaqur disa çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje”, thuhet në njoftim.
SHKK thotë se ai është trajtuar gjatë ditës nga personeli shëndetësor, mirëpo gjendja e tij shëndetësore nuk kishte shënuar përmirësim.
“Me qëllim të realizimit të një konsultimi specialistik, mjeku kujdestar ka kërkuar që i burgosuri të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë në QKUK. Fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ndërsa më pas, rreth orës 18:00, ai është transferuar në QKUK. Pas pranimit në QKUK, kanë filluar menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimi i tij nga stafi mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka ndërruar jetë”.
Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia do të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes.
