Një nga viktimat pjesëmarrëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e njohur me kodin V296/06, ka ndërruar jetë.
Lajmi është bërë i ditur në një parashtrim të mbrojtësit të viktimave, që i është dorëzuar trupit gjykues më 5 qershor 2025.
Kjo viktimë kishte pranuar të merrte pjesë në procedurë më 21 prill 2021, me pretendime për dëm mendor si viktimë indirekte e burgimit/arrestimit të paligjshëm, ndalimit dhe trajtimit mizor, vrasjes dhe zhdukjes me forcë. Përveç statusit të viktimës, ajo kishte edhe statusin e dëshmitarit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas parashtrimit, mbrojtësi i viktimave është njoftuar për vdekjen nga një i afërm i ngushtë i saj.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse ndonjë anëtar i familjes do të kërkojë të vazhdojë pjesëmarrjen në proces në emër të saj.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë çështje gjyqësore.
Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së.
Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.
Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.