Erdhën për të pushuar në bregdetin e Durrësit, por katër turistët rusë, bashkëshortët Natali dhe Sergei Burenkova 58 dhe 60 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Nikita Belousov 37 vjeç kanë ngelur të asfiksuar në saunën e një hoteli në Qerret.
Ata qëndronin në hotel Gloria prej një javë, teksa të premten kishin vizituar Ohrin dhe ishin kthyer rreth orës 20:00.
Pasi kanë darkuar, u janë drejtuar ambienteve të SPA-së. Kanë hyrë në sauna, aty ku dyshohet se janë asfiksuar, raporton tvklan.
Zyrtarisht policia në njoftimin e saj thotë se arsyeja e humbjes së jetës së katër turistëve rusë është pikërisht asfiksimi. Por vetëm autopsia që do të kryhet nga mjekësia ligjore mund të zbulojë shkaqet e vërteta.
Në kryerjen e autopsisë do të marrin pjesë edhe zyrtarë të ambasadës ruse. Policia ka marrë në pyetje edhe stafin e hotelit, që i ka gjetur trupat e pajetë, por deri tani punonjësit kanë treguar vetëm itinerarin që turistët ndoqën nga dhomat e tyre deri në ambientet e saunës dhe se si më pas i gjetën të vdekur.