“Veç je i sëmurë se ta tregoj vendin”, Dugolli thotë se u kërcënua nga deputeti Bekë Berisha

“Veç je i sëmurë se ta tregoj vendin”, Dugolli thotë se u kërcënua nga deputeti Bekë Berisha

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka akuzuar kryetarin e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, se ka kërcënuar verbalisht deputetin e kësaj partie, Enver Dugolli.

Ky i fundit tha se përveç kërcënimit verbal, Berisha ndezi cigaren, gjë që është në kundërshtim me ligjin.

Madje tha se nuk pranoi që ta fikë edhe pse i kërkoi deputetit Dimal Basha.Dugolli më tej sqaroi se Berisha e humbi arsyen dhe e kërceni në prezencë të Policisë se ‘vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha treguar vendin këtu”.

“Dua t’ju njoftoj se kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, ku fillimisht bëri shkelje ligjore duke ndezur cigare në ambiente të mbyllura të Kuvendit të Kosovës dhe në momentin që mori vërejtje nga deputeti Dimal Basha që ta fikë cigaren, por, lëre që nuk e fiki cigaren, bëri një sjellje të një njeriu të fortë. Filloi ta humbë arsyen dhe që në momentin kur nuk mori përgjigje nga drejtori i Policisë dhe ma dha fjalën, më kërcënoi verbalisht në prezencë të Policisë dhe anëtarëve të Komisionit me fjalët se ‘vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha tregu vendin këtu’, që ishte kërcenim verbal”.

Dugolli paralajmëroi se do t’i ndjekë hapat e mëtutjeshëm ndaj Bekë Berishës.

“Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm ndaj deputetëve të Komisionit, unë do t’i ndjek procedurat e duhura parlamentare dhe do t’i drejtohem kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit për adresimin e masave disiplinore ndaj Bekë Berisha”, tha Dugolli.

Related Articles