Kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza, pasi mori postin e tij të ri udhëheqës të partisë së dytë më të madhe në vend, tha se është për bashkëpunim me të gjitha partitë, për të mirën e vendit.
E gazetari Vehbi Kajtazi tha se deklarata e Bedri Hazmës sa u përket vijave të kuqe, po lexohet gabim.
“Unë mendoj se Hamza po flet për një proces pas zgjedhjeve që mund të mbahen tash. Bedri Hamza është politikan me shumë përvojë, prandaj Kurti nuk mund ta ketë përshtypjen e gabuar se merret vesh lehtë me të”, tha Kajtazi në Rubikon.
Duke folur për mundësinë e një koalicioni PDK-LVV, Kajtazi tha se beson se kushdo që i jep shans Kurtit për të udhëhequr nga pozita e kryeministrit nuk ia do të mirën vendit, derisa shtoi se gjasat që Glauk Konjufca t’i sigurojë votat në seancën e nesërme janë minimale.
“Kisha pasë qejf me e pa Konjufcën kryeministër për shkak të respektit që e kam për të, është i ndershëm, për këtë arsye një qeveri e zotit Konjufca do të ishte interesante, por ku po do me i marrë votat? Veç nëse flasin me Milanin (Radoiçiqin) përndryshe nuk ka kush me ia ba”, tha Kajtazi.
