Veç sot, Lëvizja Vetëvendosje u dënua me gati 40 mijë euro nga PZAP-ja

Veç sot, Lëvizja Vetëvendosje u dënua me gati 40 mijë euro nga PZAP-ja

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vendimet e 29 janarit ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 39.500 euro dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 9.500 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

LVV-ja dënimin më të rëndë e mori për shkak të deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë tubimit në Deçan, e cila e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetshpallur”. Për këtë PZAP-ja i shqiptoi dënim LVV-së 10 mijë euro.

Me 5.500 euro, LVV-ja u dënua shkaku i një postimi në Facebook të këshilltarit të kryetarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj, i cili kishte shkruar se “fitorja e opozitës do të ishte fitore vendimtare për Serbin gjenocidale”.

Me shumë të njëjtë, kjo parti u dënua edhe për një postim të kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli, i cili, sipas vendimit të PZAP-së, ka përdorur gjuhë urrejtëse dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare.

Gjithashtu, LVV-ja u dënua me tetë mijë euro për shkak që akterë të partisë penguan gazetarët në kryerjen e punës gjatë tubimit në Malishevë dhe Mitrovicë. Madje, siç thotë PZAP-ja, gjatë pengimit kanë përdorur edhe gjuhë që nxit dhunën ndaj gazetarëve.

Me 5.500 euro, LVV-ja u dënua edhe për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo në një tubim në Viti pati deklaruar se “kundërshtarët tanë, kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit dhe korrupsionit janë bërë bashkë”.

Me pesë mijë euro, partia në pushtet u dënua për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në tubimet zgjedhore.

Ndërkohë, LDK-ja u dënua me 5.500 euro për shkak të vendosjes së posterave në hapësira publike dhe në stacion të trafikut publik në Prishtinë. Për të njëjtën arsye, u dënua edhe katër mijë euro për vendosjen e posterave në rrugë publike në Pejë.

PZAP-ja në vazhdimësi po dënon partitë politike për shkelje të ndryshme gjatë fushatës.

Related Articles