Reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, do të rikthehet sërish në Superligën e Turqisë.
Ish-futbollisti i Fenerbahçes është afër kalimit te rivalët e përbetuar të këtij klubi, Galatasaray
Klubi turk ka filluar ndryshimet në klub për sezonin e ardhshëm. Sipas mediave turke, Galatasaray ka zgjedhur Okan Burukin si trajner dhe se marrëveshja është afër finalizimit.
Bashkë me Burukin te klubi nga Stambolli do të shkojë edhe Vedat Muriqi. Sipas “Fotomac”, sulmuesi prizrenas do të jetë dhurata e parë e presidentit, Dursun Ozbek, për trajnerin e ri.
Cenk Ergun, i cili pritet të emërohet në pozitën e drejtorit sporitv te Galatasaray, prej pak kohësh po takohet me Muriqin dhe zyrtarët e klubit të tij, Lazio.
Fakti që Okan Buruk do të drejtojë Galatasarayn thuhet se e ka tërhequr reprezentuesin e Kosovës.
Okan Buruk, i cili ka punuar me Muriqin te Rizespori gjithashtu thuhet se e ka telefonuar lojtarin për ta ftuar që t’i bashkohet te “verdhekuqtë”.
Sipas mediumit turk, Buruk i ka thënë Muriqit: “Ne po bashkohemi në Galatasaray. Mos firmos asgjë”.Kurse, mësohet se përgjigja e Muriqit ishte: “Do të isha shumë i kënaqur”.
Galatasaray e kishte kërkuar 28-vjeçarin edhe në kohën kur ai luante te Rizespori, teksa edhe dëshira e tij ishte që të transferohej te “Galata”.
Mirëpo, për shkak të marrëveshjes së klubit të Rizesporit me Fenerbahçen, ai shkoi te skuadra “verdhezi”. Sulmuesi shtatlartë pastaj u transferua te Lazio, teksa në sezonin e fundit ishte i huazuar te Mallorca në La Liga.
Mirëpo, në Turqi janë të sigurt se tashmë rrugët e Okan Burukit dhe Vedat Muriqit do të kryqëzohen sërish në Galatasaray. Madje, klubi thuhet se është duke i bërë të gjitha përgatitjet për transferimin e ish-futbollistit të Lirisë.
Galatasaray është gati për të larguar sulmuesin, Bafetimbi Gomis, për t’i liruar vendin Muriqit.
Ndryshe, Vedat Muriqi me Lazion ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2025. Ai nuk bindi krerët e klubit italian dhe largimi i tij pritet që të ndodhë në afatin kalimtar të kësaj vere.