Veliaj në Kushtetuese: 8 vendime për 8 orë, ishte mbresëlënëse

 Veliaj në Kushtetuese: 8 vendime për 8 orë, ishte mbresëlënëse

Erion Veliaj deklaroi nga gjyqi në Gjykatën Kushtetuese se e kishte parë nga televizori shkarkimin e tij si kryetar i bashkisë së Tiranës.

Ai u shpreh se nuk kishte parë kurrë një eficencë të tillë si në rastin e tij, ku gjatë procesit të shkarkimit u morën tetë vendime brenda tetë orëve nga Këshilli Bashkiak, Kryeministri dhe Presidenti.

“Unë e kam parë nga televizori i burgut shkarkimin tim. Nuk jam njoftuar. Unë nuk kam parë një eficencë me tetë vendime administrative brenda 8 orëve të punës, në datë 24, që fillon me vendimin e këshillit bashkiak dhe mbaron me dekretin e Presidentit. Në tetë orë, tetë vendime. Ishte thellësisht mbresëlënëse shpejtësia që u mor vendimi.

Kjo është e drejta ime për të qenë këtu. Faleminderit që më dhatë këtë të drejtë. Kam pritur 9 muaj për këtë të drejtë. Me kanë izoluar në një qeli me vrasës serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë me shkelje të të drejtave. Ky është një përçmim ndaj votës. Ky është një përçmimi që populli i jep republikës për ta drejtuar në emër të tij. Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës me të drejtën që ma kanë dhënë 165 mijë qytetarë.

Nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë që sot po vihet në sprovë. Jemi betuar që ta mbrojmë demokracinë. Ky nuk është mandati im, por një kontratë besëlidhje dhe do bëj gjithçka që ma lejon ligji për ta mbrojtur këtë kontratë. Askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri. Me respekt, pyes çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë?” tha ai.

Related Articles