Një ditë pasi Gjykata e Posaçme e la në masën e sigurisë “arrest me burg”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mëngjesin e së enjtes mbërriti në qelitë e paraburgimit në Durrës.
Burime nga Drejtoria e Burgut të Durrësit bëjnë me dije për Euronews Albania se Veliaj ndodhet ende në fazën e observimit dhe nuk ka kaluar ende në një dhomë të zakonshme.
Sipas rregullave të brendshme të institucionit, ai është vendosur fillimisht i vetëm, si pjesë e procedurës standarde për vlerësimin e gjendjes së tij.
Gjatë kësaj periudhe, nuk i është lejuar të takohet me askënd, përveçse me avokatin e tij, dhe kjo vetëm me leje të posaçme nga prokuroria.
Observimi, i cili zgjat 48 orë, shërben për të përcaktuar kushtet e mëtejshme të qëndrimit të tij brenda institucionit.
Ky është një zhvillim në vijim, dhe pritet që, pas përfundimit të periudhës së observimit, të vendoset mbi regjimin e mëtejshëm të qëndrimit të tij në burgun e Durrësit.