Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka akuzuar kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqi, se po qeveris nëpërmjet zhvatjes, korrupsionit e punësimeve partiake.
Ai ka shkruar në Facebook të martën se Bulliqi ka nisur fushatë të egër të spastrimeve brenda administratës, nëpërmjet frikësimit, presionit dhe kërcënimeve.
“Ende pa u ulë në ‘fron’, kreu i mashtruesve të LVV-së në Podujevë, nisi zbatimin e programit qeverisës korruptiv, përmes zhvatjes, nepotizmit dhe punësimeve partiake. Përveç kësaj, kreu i mashtruesve në Komunën e Podujevës, nisi fushatën e egër të spastrimeve brenda administratës komunale. Strategjia që zbatoi nga dita e parë ishte ajo e frikësimit, presionit dhe kërcënimit në forma të ndryshme të largimit nga vendi i punës”, ka thënë Veliu.
Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe “kryetarit abuziv shpejt u doli boja”.
“Diskriminimi vazhdoi përmes ndërrimit të vendeve të punës për punëtorët e administratës, duke i ulë në pozita. Kryetari aksidental e bëri këtë si formë presioni ndaj shërbyesve civilë, që të dorëzohen dhe ta lëshojnë punën. Të gjitha këto i bëri në mënyrë të kundërligjshme. Dëshmi për këtë janë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili i shpalli të paligjshme vendimet e kryetarit të Komunës. Qeverisjes abuzuese të kryetarit aksidental nuk i rezistuan as bashkëpunëtorët e tij në ekzekutiv, duke u dorëhequr nga pozitat e drejtorëve. Këtij pushteti që u instalua përmes rrugës dhe këtij kryetari abuziv, shpejt u doli boja”, ka deklaruar ai.
Veliu ka shtuar se Bulliqi duhet të ndalet.
Deklarimeve të Veliut iu ka përgjigjur kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Nuk merrem me pallavrat e Veliut. S’kam kohë për të. A e dini se atë e kanë përjashtuar nga partia. Çka ka bërë ai qe 20 vjet në komunë. S’merrem hiç me të”, ka thënë Bulliqi për Kohën.