Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt nuk e di se si do të reagojë kur do ta takojë Naser Pajazitajn, këshëririn e tij nga Strellci i Deçanit, u lirua nga akuzat se ia kishte vrarë mizorisht motrën në nëntor të vitit 2015.
Shkëlqimi tha se janë “100 të sigurt” se Naser Pajazitaj është vrasësi i Donjetës.
“Nuk di qysh ka me e kalu atë moment [kur ta shohë]. Ka me qenë shumë i rëndë”, tha ai.
“Ne si familje do të mundohemi ta kalojmë sa më lehtë përballimin me të”, tha Shkëlqim Pajazitaj.
Ai tha se në bazë të disa pamjeve të kamerave, Naser Pajazitaj kishte marrë Donjetën me veturë.
“Gjipi i Naserit ndalet, hapet dera dhe hyn dikush me flokë të bardha. Ai ka thënë jam ndalë dhe e kam përshëndetur një dëshmitar i cili ka thënë se as nuk e kam takuar”, thotë Shkëlqimi.
Trupin e Donjetës e kishin gjetur në mal disa banorë të Strellcit.
“Krejt kjo pjesa e sipërme ishte e skeletosur”, thotë Shkëlqimi, kur tregon për gjendjen në të cilën ishte gjetur motra e tij.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj më 9 nëntor 2015 në bjeshkët e Strellcit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” me dashje dhe me armë në mënyrë mizore e kishte privuar nga jeta Donjeta Pajazitajn.