Ish-këshilltari i Asamblesë Komunale të Drenasit, Emri Lladrovci është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
Aktgjykimi është shpallur të premten nga gjykatësi Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda afatit kohorë prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Sipas këtij aktgjykimi, Lladrovci obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe 20 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.
Në seancën e mbajtur më 20 dhjetor 2023, ai e ka pranuar fajësinë për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
Kurse i njëjti në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 dhjetor 2021 ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e cila i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës, së ngritur më 24 maj 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Emri Lladrovci se në formularin për vitin 2015 kishte deklaruar pjesërisht pasurinë e tij.
Me këtë, Lladrovci po akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Vëllai i Lladrovcit kishte noftuar në vitin 2022 largimin nga PDK-ja
Vëllai i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, Emri Lladrovci, kishte bërë të ditur më 13 janar të vitit 2022 se nuk do të jetë anëtar e as votues i Partisë Demokratike të Kosovës.
Këtë njoftim ai e ka bërë në llogarinë e tij në Facebook.
“Nga sot nuk do të jem pjesë aktive e asnjë subjekti politik. Ju njoftoj që nuk do të jem anëtar as votues i PDK-së”, ka shkruar Emri Lladrovci.
Ai po ashtu në status ka thënë se nëse do të angazhohet në ndonjë subjekt tjetër politik do të njoftojë me kohë.
“Kurdo që do të vendosi të jem pjesë aktive e ndonjë partie të re politike do të ju njoftoj me kohë”, thuhet në statusin e Emri Lladrovcit.
Për largimin e tij nga PDK, kishte reaguar edhe vetë Lladrovci.
Në reagimin e tij Lladrovci kishte folur më shumë për karrierën e vëllait të tij sesa e ka komentuar largimin e Emriut nga PDK-ja.
‘’Vëllai im, Emriu, ka qenë ushtar në Njësinë speciale të Brigadës 111 të UÇK-së – Adem Jashari. Ai iu bashkua zjarrit të luftës në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare dhe nuk u largua asnjëherë nga betejat, pavarësisht plagëve në kokë e në gjoks” ka thënë Lladrovci.
Po ashtu Lladrovic kishte thënë se vëllai i tij ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Partinë Demokratike të Kosovës.
“Për më shumë, ka qenë dy herë asamblist në asamblenë komunale dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë më tutje Ramiz Lladrovci.
Në fund Lladrovci ishte shprehur se Emriu gëzon të drejtën e patjetërsueshme për të pasur qëndrimin e tij personal politik.