Leonard Ademaj, vëllai i 30-vjeçares, Liridona Ademaj, ka folur pas ngjarjes tragjike që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, ku motra e tij mbeti e vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë. E gjithë këtë dyshohet ta ketë planifikuar mirë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, i cili u raportua se ka paguar 30 mijë euro për vrasjen e të shoqes.
Një ditë pas vrasjes, Leonardi thotë se Naim Murseli nuk e hapte telefonin.
Dyshimet e tjera, sipas vëllait të së ndjerës, lindën kur Naim Murseli hezitonte ta shikonte trupin e gruas së tij.
“Edhe Naimin e kem marrë edhe shkuam me pa. Po tha mundësinë me pa Liriodnën veç nëse keni probleme shëndetësore mos e këqyrni. Thash jo more unë jam rritë me të, dua me pa. Ai nuk dëshironte me hi me pa. Aty filluan edhe dyshimet tjera. I tha djali i mixhës ec Naim se s’bon kështu ke jetu 13 vjet me të“, theksoi ai.
Leonardi thotë se në ditën e varrimit e ka thirrur në të njëjtin numër, të cilin një ditë më herët Naimi i kishte thënë se ia ka vjedhur grabitësi.
Dyshimi tjetër ishte te gjërat me vlerë që kishte Liridona, për të cilat atë natë ai kishte thënë se iu vodhën.
“Kur shkova në Mjekësinë Ligjore me i thanë Naimit, arin edhe gjerat me vlerë çka ka pas Liridona i ke brenda. Nëse hajnat e kanë vjedh, Liridona ka pasur ari shumë, ia kishin marrë arin.Por, jo arin tha e ke këtu”, vazhdon rrëfimin për RTK-në, Leondardi.
Ai thotë se vrasja e motrës së tij ka ndodhur brenda veturës.
Por, cilat mund të jenë motivet e këtij akti mizor?
“Çka mundem me ditë, e çka na shkon mendja është se Liridona ka pasur sigurime në Suedi. Sigurimi në Suedi paguan shuma marramendëse nëse i ndodhë një fatkeqësi njërit ose tjetrit prind. Ose mund me kon që ka mundur me mbet pa pare, me pas borxhe edhe me privuar nga jeta motrën tonë me ja marrë paret e sigurimit“, shprehu dyshimin e tij Leonardi.
Familjarët e Liridonës kanë kërkuar zhvarrimin e trupit të saj nga Cermjani dhe varrosjen e saj në fshatin Rracaj, aty ku edhe jetojnë familja e ngushtë.
Naim Murseli u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.
E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.
Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.
Seanca fillestare ndaj të dyshuarve do të mbahet nesër në orën 09:30, teksa Prokuroria ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.