Në përvjetorin e 25-të të rënies së heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci, në emisionin “Frontal” ka qenë i ftuar vëllai i Xhevës, Selim Krasniqi.
Ai ka rrëfyer se si ka qenë Xheva si studente e kur ka filluar me aktivitete për çështje komëbtare.
“Xheva ka rënë në sy të pushtetit në atë kohë, qoftë gjatë organizimeve në protesta por edhe më vonë. Shkollimi i saj ka qenë në kushte shumë të vështira, studimet i ka kryer në atë kohë të vështirë, por nuk është ankuar asnjëherë, i ka interesuar aktiviteti për çështjen kombëtare. Kur flitet për Xhevën, nuk mund të mos ta përmendësh Fehmiun dhe anasjelltas, kanë pasur aktivitet në Kroaci e në Gjermani, që nga koha kur janë njohur nuk janë ndarë asnjëherë. Ka qenë ndër vajzat e parë Xheva është shkolluar, kjo edhe pas insistimit të prindit.”
Ish-luftëtari i UÇK-së, Selim Krasniqi ka treguar edhe një histori interesante të kohës, se si Xheva kishte shkuar nuse tek familja e Fehmi Lladrovcit, gjatë kohë sa ky i fundit ishte i burgosur.
“Pas fejesës së Fehmiut me Xhevën, Fehmiu është burgos, prindi i Fehmiut ka ardhur tek ne e na ka thanë me ma dhanë Xhevën, pasi i duket si me pas Fehmiun aty, kështu që motra është martu e ka shku nuse pa qenë Fehmiu aty. Pastaj ka dhanë mësim në Drenas si profesoreshë. Xheva ka qenë e armatosur qysh në aksionet e para, e bashkë me të kemi qenë të armatosur në vitin 1997, kur edhe ka rënë Luani”, ka thënë Krasniqi.
Selimi ka kujtuar edhe hyrjen nga Shqipëria për në Kosovë, atë ditë kur edhe ka rënë Luan Haradinaj në fushëbetejë.
“Nuk mund të mendohej që mund të vinte Fehmiu nga Gjermania, e Xheva të mos vinte, kur është diskutu se kush do të hyjë në grup aty patjetër ka qenë Xheva. Tentimi për të hyrë në Kosovë, Ali Ahmeti fillimisht ka biseduar me Ramush Haradinajn, për fat të keq, në momentin e parë që kemi hyrë në kufi kemi rënë në pritë, aty ka qenë një pritë e organizuar mirë, e që i bie se ata kanë qenë të informuar paraprakisht”, ka përfunduar Krasniqi.