Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku para anëtarëve të partisë së tij deklaroi të shtunën se gjykimet publike, debatet televizive dhe presioni në rrjete sociale nuk mund të zëvendësojnë procesin demokratik të brendshëm.
“Përgjegjësia nuk ndahet me askënd, por merret. Kjo përgjegjësi nuk merret në studio televizive kur gjyqi publik bëhet spektakël, as përpara zhurmaxhinjve të kurdisur që shpallin vdekjen e një partie me 36 vjet e aq më pak me postime të rrjeteve sociale ku shpallim fatin tonë të LDK-së. Jemi më të mëdhenj se kaq. Trajtoni veten si të tillë. Përgjegjësia vetëm në një vend, në Kuvend të LDK-së”, ka thënë ai gjatë fjalimit.
Sipas Abdixhikut rezultati zgjedhor nuk është pasojë e një gabimi të vetëm apo e një vendimi të vetëm, por një proces i ngadalshëm që është ndërtuar me kalimin e kohës. Ai bëri thirrje për guxim politik dhe përballje me realitetin pa iluzione.
“Rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetë, as nga një natë e vetme e as nga një vendim i vetëm. Erdhi ngadalë, si grumbullim që rëndohet çdo ditë. Duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta pa iluzione”, ka thënë ai.
Abdixhikut mes tjerash tha edhe se ata që nuk respektojnë vullnetin e shumicës, ndoshta s’duhet të kenë vend në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Kush nuk respekton vullnetin e një shumicë, fundja ndoshta s’duhet të jetë pjesë e kësaj familje. Nuk mund t’ia marrësh të mirat e partisë e të mos japësh kontribut në anën tjetër”, ka thënë Abdixhiku./ Gazeta Enigma.
