Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Gashi: Ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Gashi: Ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se seanca konstituuive e Kuvendit nuk ka përfunduar, siç e ka shpallur Lëvizja Vetëvendosje përmes kryetarit të zgjedhur, Dimal Basha.

Gashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se Kuvendi nuk është i konstituar.

“Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit. Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin. Nëse kjo nuk ndodh, sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar ai.

Gashi ka thënë se Kuvendi i ka dy rrugë që sipas tij janë:“Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje”.

Related Articles