Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila hodhi poshtë Udhëzimin Administrativ të Ministrit në dorëheqje, Hekuran Muratit, për arkat fiskale.
LDK ka thënë se ky vendim konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, “në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë”.
LDK ka thënë se do ta deponojë nesër këtë vendim në Prokurori, si dëshmi për 17 kallëzimet penale, shkruan Reporteri.net.
“Në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin institucional të Republikës. Në këtë drejtim, LDK nesër do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori si dëshmi e argumentimit tonë në këto 17 kallëzime penale”, thuhet në komunikatë.
LDK ka kërkuar nga Prokuroria që të trajtojë me prioritet këto kallëzime.
“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë. Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme”, thuhet në reagim.