Vendimi i Supremes për arkat fiskale, reagon Bajrami

Vendimi i Supremes për arkat fiskale, reagon Bajrami

Gjykata Supreme e rrëzoi udhëzimin administrativ për arkat fiskale të ministrit në detyrë të Financave Hekuran Murati.

Murati ka thënë se sot është penguar dixhitalizimi i arkave fiskale dhe bizneset do vazhdojnë të humbin.

Por atij i ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ajo i ka thënë Muratit “mos derdh lot krokodili”, sepse askush më shumë se ai nuk e ka ndihmuar monopolin.

“Hekuran Murati e ka marrë mandatin më 22 mars të vitit 2021 dhe vetëm pasi e ka përfunduar mandatin e plotë 4 vjeçar si ministër ka vendosur të nxjerrë një udhëzim administrativ siç thotë ai kundër monopolit të arkave fiskale. Hekuran, mos derdh lot krokodilli, sepse askush më shumë se ti nuk e ka ndihmuar këtë monopol, katër vjet veç i ke kqyrë seri. A duhet të bëhet digjitalizimi i fiskalizimit? PO, sa më parë! Dhe ti Hekuran deputeti këtë është dashur ta bëje në vitin e dytë të qeverisjes si ministër, nëse s’ka pasur mundësi ta bëje vitin e parë, por ja që ka vendosur të nxjerrësh udhëzim administrativ vetëm kur të ka përfunduar mandati”, ka deklaruar ajo.

“LDK e ka thënë që nga dita e parë se i keni uzurpuar zyrat e qeverisë dhe se të gjitha vendimet që i keni marrë deri më tash janë joligjore dhe jokushtetuese. Kushtetuta është e qartë: nuk mund të jesh edhe ministër edhe deputet. Dhe tani pas këtij aktgjyimi/sqarimi të Gjykatës Supreme, i bëj thirrje Prokurorisë Speciale t’i trajtojë kallëzimet penale të LDK-së kundër deputetëve të Vetëvendosjes dhe t’i nxjerrë para drejtësisë, prej deputetit Kurti e teposhtë. Sundimi i ligjit nënkupton që të japin llogari të gjithë deputetët që kundërligjshëm dhe në mënyrë kundërkushtetuese po mbajnë pozita ekzekutive”.

“Çdo vendim i Qeverisë i nxjerrë nga deputetët, përfshirë Kurtin, është i kundërligjshëm dhe rrjedhimisht duhet të jetë subjekt i hetimit penal. Pas vendimit të Gjykatës Supreme, i bëj thirrje edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit të hetojë dhe të konstatojë konfliktin e interesit ndaj deputetëve që mbajnë pozita ekzekutive në Qeveri, që mbajnë këshilltarë kundërligjshëm dhe që shfrytëzojnë pasurinë e shtetit – përfshirë veturat dhe zyrat – në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Bajrami.

Related Articles