Vendimi i dytë i Gjykatës Themelore të Prishtinës për caktimin e paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahut, ka përfunduar sërish në Gjykatën e Apelit.
Zëdhënësja e Apelit, Laureta Ulaj, ka konfirmuar se kanë pranuar një ankesë të re për këtë vendim.
“Është pranuar lënda me ankesë në Gjykatën e Apelit”, ka deklaruar Ulaj për reporteri.net.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, më 9 korrik 2025 ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pesë të dyshuarve.
Apeli e kishte anuluar më 21 korrik këtë vendim, pas ankesës së mbrojtjes së të dyshuarve.
Më 23 korrik, Gjykata ka vendosur që t’i dërgoj sërish në paraburgim pesë policët.
Ata do të mbahen në paraburgim deri më 6 gusht.
“CAKTOHET MASA E PARABURGIMIT në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë do t’iu llogaritet prej datës së ndalimit nga 07.07.2025 deri me datën 06.08.2025, thuhej në aktvendim.
Agon Zejnullahu vdiq me pranga në duar në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Zyrtarët policorë, që u prangosën, u tha se kishin intervenuar për ta neutralizuar pasi ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë”, sipas Policisë.
Një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast u arrestuan nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa rasti u cilësua si “vrasje nga pakujdesia”.