Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor të këtij viti.
Vendimi është dërguar në organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve. Derisa procesi zgjedhor zhvillohet, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin administrativ, por nuk do të mbahen seanca plenare, për të shmangur keqpërdorimin e foltores për qëllime elektorale.
Në letrën e shpalljes së zgjedhjeve, Gashi u ka bërë thirrje partive dhe kandidatëve që të tregojnë kulturë të lartë politike dhe të respektojnë rregullat e fushatës.
Qytetarët do të zgjedhin kryetarët dhe këshillat komunalë në 80 njësi të vetëqeverisjes lokale dhe në Qytetin e Shkupit, për një mandat 4-vjeçar.
Për realizimin e tërë procesit zgjedhor janë ndarë rreth 10 milionë euro, nga të cilat pjesa më e madhe shkon për reklamim politik, ndërsa pjesa tjetër për kompensime, logjistikë dhe transport.
Deri në fund të muajit duhet të zgjidhen 21 mijë administratorë që do të angazhohen në këshillat zgjedhor në rreth 3.500 vendvotime. Po ashtu, partitë që morën më së shumti vota në zgjedhjet e fundit – VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN – duhet të propozojnë edhe 14 mijë anëtarë të këshillave zgjedhor.