Venezuela ka transportuar ar në vlerë të gati 4,14 miliardë frangave zvicerane në Zvicër gjatë viteve të hershme të udhëheqjes së presidentit të rrëzuar, Nicolas Maduro, sipas të dhënave të doganave.
Shteti i Amerikës Jugore dërgoi 113 tonë ar në Zvicër nga viti 2013 – kur Maduroja erdhi në pushtet – deri në vitin 2016, sipas të dhënave të analizuara nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
Prejardhja e arit ishte nga Banka Qendrore e Venezuelës, sipas transmetuesit zviceran SRF, në kohën kur Qeveria po e shiste metalin e çmuar për ta mbështetur ekonominë.
Eksporte të arit nga Venezuela për në Zvicër nuk kishte nga viti 2017, kur ishin vendosur sanksionet e Bashkimit Evropian, deri më 2025, tregojnë të dhënat e doganave.
Të hënën, Zvicra e urdhëroi ngrirjen e aseteve që mbahen në këtë shtet nga Maduroja dhe 36 bashkëpunëtorë, por nuk publikoi të dhëna rreth vlerës së mundshme ose burimit të këtyre fondeve.
Nuk dihet nëse ekziston ndonjë lidhje mes aseteve të tilla dhe arit të transferuar nga Banka Qendrore e Venezuelës.
Ari nga rezervat e Venezuelës me gjasë u dërgua në Zvicër për t’u procesuar, certifikuar dhe për transport të mëtejmë, raportoi televizioni SRF.
Zvicra është njëra nga qendrat më të mëdha në botë për pastrimin e arit. Në shtetin e pasur evropian ndodhen pesë rafineri të mëdha për këtë qëllim.
