Mediat ndërkombëtare raportojnë se autoritetet ruse i kanë dorëzuar atyre ukrainase trupat e disa ushtarëve vendas të vrarë gjatë luftimeve të ashpra në Azovstal për kontrollin e Mariupolit.
Sipas të dhënave bëhet fjalë për një shkëmbim të trupave të të rënëve mes dy vendeve, ku u përfshinë më shumë se 160 ushtarë të vrarë nga të dyja palët
Nga sa mësohet nga autoritetet ukrainase, më shumë se 50 trupa ishin anëtarë të regjimentit Azov, ndërkohë që procesi i identifikimit po vazhdon.
Më shumë se 2,500 mbrojtës të Azovstal, ku përfshihen roje kufitare, policë dhe ushtarë, aktualisht mbahen robër nga Rusia.
Kievi kërkon dorëzimin e të gjithëve, por disa ligjvënës rusë kërkojnë që disa nga ushtarët, veçanërisht nga regjimenti Azov të dalin përpara një trupi gjykues.