Vërshimet në Gjilan, kjo është thirrja e Hysenit për qytetarët e kësaj komune

Vërshimet në Gjilan, kjo është thirrja e Hysenit për qytetarët e kësaj komune

Pas vërshimeve në Gjilan dhe në disa fshatra të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni.

Sipas njoftimit të komunës, ai ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina në shtretërit e lumenjve dhe hapësira publike, pasi si pasojë ka thënë se po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve.

Pavarësisht masave preventive të ndërmarra në parandalimin e vërshimeve, për shkak të reshjeve të mëdha dhe bllokimit te shtratit të lumit nga mbeturinat, dje kemi pasur dalje të ujit nga shtrati i lumit Stanishor në disa lokalitete, ku uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive dhe bodrumet e tyre.

“Ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në shtretërit e lumenjve dhe hapësira publike, si pasojë e të cilave po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, është bërë e ditur se Drejtoria për Mbrojtje e Shpëtim si dhe ekipi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë dalë në zonat të cilat janë prekur nga vërshimet dhe kanë intervenuar në pastrimin e disa pikave nga mbeturinat.

“Me të marrë lajmin, kemi aktivizuar komisionin për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe ata janë në proces të shqyrtimit të dëmeve të shkaktuara”, thuhet në njoftim. 

Related Articles