Pasditen e së dielës kryeqytetin “e mori lumi”. Kjo pas vërshimeve të mëdha që pësuan pas të reshurave të shumta të shiut. Nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca kanë dhënë detaje për situatën aktuale.
Të dielën pati reshje të mëdha në shumë qytete, por më së shumti në Prishtinë. Këto reshje shkaktuan vërshime që më pas krijuan kolona në qytet për shkak të vështirësive në lëvizjen e trafikut.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në komunën e Prishtinës kanë thënë se kanë filluar pranimin e kërkesave nga qytetarët për konstatimin e dëmeve.
“Po, kemi filluar pranimin e kërkesave nga qytetarët për konstatimin e dëmeve. Bazuar në këto kërkesa, do të hartohet raporti për dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Ekipet tona kanë qenë në terren gjatë tërë kohës, duke u marrë me sanimin e gjendjes, largimin e ujit dhe pastrimin e kanalizimeve atmosferike.”
Mirëpo se sa është vlera e dëmit, nga kjo drejtori thonë se do të përcaktohet pas hartimit të raportit përfundimtar.
“Aktualisht, jemi ende në procesin e mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave nga qytetarët dhe institucionet përkatëse. Një vlerësim i saktë i dëmeve do të bëhet pas përfundimit të këtij procesi dhe hartimit të raportit përfundimtar.”
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka thënë se janë verifikuar bllokimet në kanalizimin atmosferik në aksin rrugor nga rrethi “Te Ismeti” deri te Baumarket në Çagllavicë, si dhe në pjesët tjera të Kryeqytetit.
Po ashtu, kjo drejtori ka njoftuar se janë angazhuar kompani për sanimin e gjendjes dhe hapjen e kanaleve atmosferike dhe ujëmbledhësve.
“Dje, më datë 24.06.2024, ekipet tona, së bashku me ato nga Ministria e Infrastrukturës dhe Kryetari i Kryeqytetit, kanë dalë në terren për të inspektuar lokacionet më të prekura nga vërshimet. Janë verifikuar bllokimet në kanalizimin atmosferik në aksin rrugor nga rrethi “Te Ismeti” deri te Baumarket në Çagllavicë, si dhe në pjesët tjera të Kryeqytetit. Me urgjencë janë angazhuar kompanitë për sanimin e gjendjes dhe hapjen e kanaleve atmosferike dhe ujëmbledhësve, me qëllim të funksionalizimit të kanalizimit atmosferik dhe qarkullimit të lirshëm të ujit.”
Dje, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, doli në terren për “të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme”.
Ai tha se është krijuar shtabi i krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim.
“Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit, ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët. Lutim qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojmë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.”
Ky shi erdhi pas një jave me temperatura të larta dhe ende nuk dihet për dëmet që i ka shkaktuar.
Pas këtyre reshjeve 15 udhëtarë janë evakuuar pasi autobusi me të cilin udhëtonin e ka pasur të pamundur të qarkullonte. Ky mjet transportues kishte mbetur në nënkalimin tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinës.
Në të njëjtën ditë, shiu ka depërtuar edhe në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë.
SHSKUK dje ka njoftuar se përkundër reshjeve të dendura të shiut dhe pamundësisë së përpunimit të ujit nga rrjeti i ujërave të zeza, nuk janë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore dhe dëme të tjera materiale.
“Uji kryesisht ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, por pas masave të menjëhershme aparaturat mjekësore nuk janë rrezikuar. Sa i përket Klinikës së Pulmologjisë, uji është larguar nga bodrumi dhe rëntgeni statik është larguar, pa u dëmtuar. Ndërkohë, klinika ka Rëntgen mobil dhe shfrytëzon rëntgenet e Klinikës së Radiologjisë. Puna është duke vazhduar edhe në klinikat tjera, kurse QKUK, nga dita e djeshme ka angazhuar të gjitha kapacitetet teknike dhe stafit shëndetësorë të klinikave, për të tejkaluar gjendjen pas reshjeve të shiut”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.