Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit, duke theksuar se siguria në shumë shkolla është seriozisht e rrezikuar.
Në reagimin e saj, SBASHK-u vlerëson se kjo gjendje ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore në Kosovë mbetet e pambrojtur, ndërsa reagimi institucional, sipas sindikatës, shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK-u ka përkrahur vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Reagimi i plotë:
Reagim i SBASHK-ut
Reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit. Kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MASHTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
SBASHK-u kërkon urgjentisht:
Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;
Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;
Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;
Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Në veçanti kërkojmë inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:
Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë Kosova, Klina, Gjakova,Dragash dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
Paralajmërim sindikal:
SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.
Siguria nuk negociohet.
SBASHK-u – në mbrojtje të punëtorëve të arsimit.
