Është vetëdorëzuar në Prokurorinë Speciale i pandehuri mbi të cilin rëndojnë dy akuza.
Sipas njoftimit, i pandehuri S.N., i cili ishte duke u hetuar nga kjo prokurori, është ndaluar për veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik”.
Tutje, mbi të pandehurin rëndon akuza “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“I pandehuri gjendej në arrati dhe është paraqitur së bashku me avokatin e tij në zyrat e PSRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, ku të pandehurit S.N., i është caktuar masa e dorëzanisë në shumë prej 30 mijë euro.
“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e dorëzanisë ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.N ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se janë plotësuar edhe kushtet dhe arsyet e kërkuara me ligj për caktimin e dorëzanisë”, thuhet në njoftimin e Themelores.
Tutje, Themelorja bëri të ditur se nëse i pandehuri S.N., ikë dhe arratiset, me aktvendim të gjykatës caktohet që dorëzania në vlerë prej 30 mijë euro të derdhet në Fondin për Kompensimin e Viktimave dhe i njëjti paraburgoset dhe dorëzania hiqet, nëse pas thirrjes me rregull ai nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mungesën.
“Dorëzania hiqet nëse procedura penale pushon me aktvendim të formës së prerë ose me aktgjykim të formës së prerë, ndërsa kur i pandehuri dënohet me burgim, dorëzania hiqet kur ai të ketë filluar vuajtjen e dënimit”, thuhet në njoftim.