Vetëm dy muajt e fundit mbi 100 mijë kosovarë aplikuan për terminë për viza pune në Gjermani

Vetëm dy muajt e fundit mbi 100 mijë kosovarë aplikuan për terminë për viza pune në Gjermani

105 mijë e 601 qytetarë të Kosovës vetëm në dhjetor 2021 e janar 2022 kanë aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Ndërkaq edhe një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar në ambasada të tjera.

Qytetarët thonë se kanë më shumë se dy vjet që presin për një vizë pune.

“Qe dy vjet një djalë i imi është kah aplikon në Ambasadë gjermane. Kjo lotari s’ka shancë me marrë vizën. Është duke e pritur puna atje”, thotë për RTK-në,  Petrit Berisha.

Edhe te qendra e aplikimit për viza zvicerane situata është e njëjtë.

“Unë terminin e kam bërë në muajin nëntor të vitit 2021 e tash e kam teminin me i dorëzuar dokumentet për me prit vizën”, tregon një qytetar tjetër.

Ndërkohë Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se për shkak të kërkesës së madhe për terminë për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këta terminë ndahen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit.

Vetëm në dhjetor të vitit 2021 kanë aplikuar 56 mijë e 639 kosovarë e në janar të vitit 2022 48 mijë e 962 aplikime. 

Related Articles