Vetëm edhe katër shtretër kanë mbetur të zbrazët në Mjekimin Intensiv Qendror në Qendrën Kliniken Universitare të Kosovës (QKUK), pasi që në 21 shtretërit tjerë janë të vendosur pacientë me gjendje shëndetësore shumë të rënduar si pasojë e infektimit me COVID-19.
Prej këtyre pacientëve 8 persona janë të intubuar, 10 janë me maskë CPAP e 3 me maskë të thjeshtë të oksigjenit.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress anesteziologu në Mjekimin Intensiv Qendror, Mentor Alimusa i cili thotë se në valën e fundit të COVID-19 e deri tani janë trajtuar 45 pacientë.
Alimusa thekson se krahas 17 shtretërve tek njësia MIQ për trajtim të pacientëve me COVID janë shtuar edhe 9 shtretër të Klinikës ORL.
“Derisa ne po flasim në Mjekimin Intensiv Qendror COVID janë të pranishëm 21 pacientë, prej tyre 8 janë të intubuar, 10 janë me maskë CPAP, ndërsa 3 janë me maskë të thjeshtë të oksigjenit. Gjendja e pacientëve në Mjekimin Intensiv vetë fjala intensiv nënkupton se janë pacientë më të rëndë në raport me të tjerët dhe janë pacientët më të rëndë që sillen nga e gjithë Kosova e kanë si qendër referent Mjekimin Intensiv Qendror. Gjendja e pacientëve me të vërtetë është e rënduar…
Me rritjen e numrit të rasteve me COVID strukturat e ShSKUK-së dhe MIQ janë mobilizuar dhe shumë shpejtë kanë arritur t’i përgatisin 26 shtretër. 17 shtretër janë në Mjekimin Intensiv të vjetër që ka qenë me herët kur i kemi përgatitur ku mund të kyçen të gjithë respiratorët dhe 9 raste të tjera janë të njësisë ORL e cila është e bashkangjitur me Mjekimin Intensiv COVID, që në total janë 26 shtretër me mundësi të kyçjes dhe respiratorëve”, theksoi Alimusa.
Alimusa thotë se për dallim nga variantet tjerë në këtë klinik tashmë po kërkojnë trajtim spitalor pacientë të moshave të mesme duke filluar nga 40 vjeç e tutje.
Sipas anesteziologut, Alimusa është shqetësuese se aktualisht pacientët e shtrirë në Mjekimin Intensiv Qendror kanë më pak sëmundje shoqëruese, krahasuar me pacientët e varianteve të tjera të COVID.
“Tek varianti Delta kemi një dallim prej varianteve të mëhershme ku në këtë rast si moshë më e shpesh në Mjekimin Intensiv është mosha prej 40 deri në 60 vjeçare, përjashto rastet ku nga Klinika e Gjinekologjisë ku kemi transferuar disa raste që kanë qenë shtatzëna që kanë qenë në mosha më të reja se sa ato 40 vjeçare…
Tek ky variant meqenëse edhe mosha është më e re sëmundjet shoqëruese janë më të pakta në raport me herën e kaluar disa prej tyre shoqërohen me hipertension, diabet janë dy sëmundjet më të shpeshta që i shoqërojnë këto raste”, theksoi Alimusa.
Në Mjekimin Intensiv Qendror nga gjithë pacientë e shtrirë vetëm dy pacientë kanë qenë të vaksinuar, njëri ishte e vaksinuar vetëm me dozën e parë, ndërsa aktualisht në këtë klinik është i shtrirë një pacientë që është imunizuar me dy dozat e vaksinës.
Sipas Alimusës gjendja e këtyre pacientëve të vaksinuar ka qenë më stabile.
“Në Mjekimin Intensiv deri më tani të gjithë pacientët që kanë qenë të shtrirë në Mjekimin Intensiv prej hapjes e deri më tani 1 paciente ka qenë me një dozë vaksine, dhe tani për momentin kemi 1 pacient i cili është me dy doza AstraZeneca, por gjendja e këtij pacienti është më e qetë në raport me pacientët tjerë, të gjithë pacientët tjerë të cilët kanë qenë të shtrirë në Mjekimin Intensiv Qendror kanë qenë të pavaksinuar”, theksoi anesteziologu i Mjekimit Intensiv Qendror.
Oksigjeni është terapi kryesore kryesisht për pacientët e shtrirë tek Mjekimi Intensiv, prandaj nga kjo Klinik thonë se gjendja me furnizim është stabile.
“24 orë monitorohet presioni i oksigjenit dhe deri më tani në këtë moment që po flasim nuk kemi pasur ndonjë problem të tillë… Në Mjekimin Intensiv Qendror jemi të furnizuar me të gjitha medikamentet të cilat ne i ordinojmë gjatë trajtimit të pacientëve duke filluar prej oksigjenimit është i rregullt, respiratorët po ashtu monitorimi”, theksoi Alimusa.