Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë zhvilluar takim me ambasadoren kroate në Kosovë, Danijela Barishiq, të cilës ia kanë përcjellë shqetësimet rreth Gjykatës Speciale.
Në një njoftim për media, kjo organizatë thekson se të dërguarës së Zagrebit në Kosovë i shprehën edhe mirënjohjen për shtetin kroat.
“Sot, në vazhdën e angazhimeve tona për të adresuar padrejtësitë që po ndodhin në Gjykatën Speciale, zhvilluam një takim me Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barishiq”.
“Me respekt dhe vëmendje u dëgjuan shqetësimet tona lidhur me trajtimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa u dakorduam që këto shqetësime të përcillen edhe tek institucionet shtetërore të Kroacisë, si shtet mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës”.
“Gjithashtu shprehëm mirënjohjen tonë për shtetin kroat, i cili në kohët më të vështira qëndroi pranë popullit të Kosovës dhe mbështeti luftën tonë për liri”, theksohet mes tjerash në njoftim.