Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë paralajmëruar sërish protestë në rast se nuk ndryshohet ligji për pagën minimale, shkruan Gazeta Enigma.
Sekretari organizativ i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se është koha që të përmirësohet ky gabim diskriminues ndaj tyre.
“Është koha të përmirësohet ky gabim diskriminues në ligjin për pagën minimale, dhe u japim kohë që deri në lexim të dytë ta përmirësojnë këtë gabim. Nëse kjo nuk ndryshon atëherë ne sot paralajmërojmë protestë në ditën kur do të mbahet seanca e Kuvendit për shqyrtim lexim të dytë të ligjit për pagën minimale”, u shpreh Klinaku.
Klinaku gjithashtu bëri të ditur se sikurse nuk e kanë pranuar okupimin, ashtu nuk do ta pranojmë as diskriminimin e as politizimin e çështjes së veteranëve.
“Në takim me kryeministrin nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët. Kurti vazhdon të insistoj në qëndrimet e tij diskriminuese me tendencë politizuese dhe nuk plotësoj kërkesën tonë që është jo diskiminim të veteranëve me pagën minimale”, tha Klinaku.