Vetëvendosje e denoncon Fushë Kosovën

Vetëvendosje e denoncon Fushë Kosovën

Grupi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë ka dorëzuar një kërkesëpadi në MAPL ndaj Kuvendit Komunal për shkak të mosshqyrtimit të disa vendimeve, të cilat niveli qendror i ka vlerësuar të kundërligjshme.

Sipas VV-së, Kuvendi e ka shkelur Ligjin për vetëqeverisje lokale, meqë nuk i ka rishqyrtuar këto vendime brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. E në komunë thonë se disa nga këto vendime janë rishqyrtuar dhe se nuk kanë frikë nga denoncime të tilla.

Kërkesëpadi ndaj Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës ka deponuar Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë. Zyrtarët e saj pretendojnë se është shkelur Ligji për vetëqeverisje lokale nga ana e Kuvendit, pasi nuk i ka harmonizuar disa vendime brenda afatit 30-ditor, të cilat ministritë përkatëse i kanë vlerësuar si të paligjshme.

Durim Hajraj, shef i Grupit të këshilltarëve komunalë të LVV-së, ka thënë se për disa nga këto vendime tashmë janë bërë 45 që Kuvendi nuk i ka trajtuar.

“Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka iniciuar kërkesëpadi në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për disa vendime të cilat brenda afatit ligjor nuk janë

marrë masa. MAPL ka konstatuar se janë të kundërligjshme, ndërsa mazhoranca në këtë rast nuk i ka trajtuar dhe nuk e ka vazhduar komunikimin në lidhje me këto vendime. Duke parë që nuk po respektohet Ligji për vetëqeverisje lokale, ne kemi iniciuar kërkesëpadi në mënyrë që të parandalohen këto vendime të dëmshme”, ka thënë Hajra.

Sipas Hajrës, disa nga këto vendime janë ai për bonuset e zonimit, pastaj për ndërtimin e sheshit “Dardania”, për ndërtimin e një lagjeje të re, për ndërtimin e objekteve me karakter të përkohshëm e të tjera.

Por, nënkryetari i kësaj komune, Fadil Krasniqi, ka thënë se vendimet janë rishqyrtuar. Thotë se nuk kishte qëllim për të shkelur ligjin, porse u dërguan në Kuvend, siç tha ai, për shkak të transparencës.

“Ne nuk mund të jetojmë me frikë nga institucionet tona. Asnjë nuk është marrë me qëllim që të shkelen dispozitat ligjore ose të shkelet ligji. Absolut. Për këtë arsye pse me pasë frikë? Mund të bëjnë denoncime për arsye se është e drejtë e partive të tyre që mund të merren këto sene. Po nuk kemi frikë, për arsye se nuk ka këtu shkelje ligjore, nëse thotë rishqyrtoje e kemi rishqyrtuar, nëse vendos Kuvendi se duhet të vazhdojë të plotësohet Rregullorja”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se Rregullorja për bonuset e zonimit po merret edhe si model nga komuna të tjera.

Related Articles