Sipas një njoftimi nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan aktivistët dhe asamblistët e kësaj lëvizje janë sulmuar dhe kërcënuar në Kuvendin komunal nga Imri Ahmeti dhe zyrtarë të tij, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Aktivistët dhe asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje! Sulmohen dhe kërcënohen në Kuvendin komunal nga Imri Ahmeti dhe zyrtarët e tij”, thuhet në njoftimin e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook kanë njoftuar se e gjithë ngjarja kishte ndodhur në punimet e seancës në Kuvendin komunal të Lipjanit.
“Sot, teksa po vazhdonte punimet seanca e Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asamblistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u sulmuan nga Kryetari i Komunës e shpura e tij në mënyrë të ulët, duke shpifur e kërcënuar aktivistin Blerton Vehapi, i cili po merrte pjesë në seancën publike të Kuvendit”, kanë shkruar ata.
Tutje ata kanë theksuar se zemërimi i Imri Ahmetit dhe aktivistit Blerton Vehapi kish nisur qysh në tetor të vitit të kaluar.
“Në fakt, pezmi e zemërimi i Imri Ahmetit ndaj aktivistit Blerton Vehapi kishte filluar qysh në tetorin e vitit të kaluar, në ditën e zgjedhjeve, ku Imri Ahmeti, para një mase të konsiderueshme të njerzve, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes dhe linçuar publikisht atë”.
Sipas tyre “tendenca për ta përdorur intimidimin dhe kërcënimin ndaj një të riu 20 vjeçar, për t’ia shuar zërin, nuk i bën aspak nder një kryetari të komunës, i cili supozohet të kujdeset për të gjithë qytetarët pa dallim. Mësyerja e pakuptimtë që Imri Ahmeti ka ndërmarrë ndaj Blertonit e asambleistëve tanë, është skandaloze dhe si e tillë duhet të shihet me kujdes, sepse përbën një mesazh të qartë ndaj çdo të riu e të reje që aktivizohet politikisht e ka qëndrime të ndryshme me të”.
Gjatë kësaj seance aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u munduan që edhe ti nxjerrin jashtë me forcë.
“Po ashtu, në një ngarendje për të shpërfaqur servilizmin e thellë ndaj Imri Ahmetit, asambleistë të LDK-së e zyrtarë komunalë të akomoduar nga Imri Ahmeti, vazhduan sulmin e kërcënimet e ashpra ndaj asamblistëve e aktivistëve tanë, duke u munduar të nxjerrin jashte me forcë aktivistët, me ç’rast asamblistë e LDK-së Venhar Agushi dhe Fitim Shala kapin me dhunë aktivistët dhe ia marrin dhunshëm nga dora telefonin asamblistes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.
Tutje në kիtë njoftim thuhet se “Kryetari i komunës së Lipjanit gjuhën denigruese e kërcënimet i ka pjesë të rëndomtë të personalitetit dhe politikbërjes që manifestojnë vogëlsinë e tij, prandaj secili që mendon dhe veprpn ndryshe, rëndom përballet me etiketime, shpifje e bullizim nga Imri Ahmeti, ndërsa Kuvendi Komunal trajtohet si zyrë e LDK-së e pronë private e z. Ahmeti”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, dënon fuqishëm aktin skandaloz të Imri Ahmetit dhe vartësve të tij ndaj aktivistëve e asamblistëve tanë, ndërsa po shohim të gjitha mjetet dhe mundësinë për reagim ligjor në këtë drejtim”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, ia kujton edhe njëherë Imri Ahmetit, se nuk ia kemi as respektin e as frikën dhe se angazhimi ynë politik në mbrojtje të interesit të qytetarëve e denoncimin e keqpërdorimeve nuk do të arrijë që ta ndalë”, thuhet në njoftimin e tyre./Gazeta Enigma/