Dosja ndaj Dibran Hoxhës dhe pesë të dyshuarve të tjerë ka mbërritur në dyert e Gjykatës së Prizrenit, për caktimin e masës së sigurisë.
Mëngjesin e së martës (3 janar 2023) ka ndodhur një vrasje në një lokal nate në Prizren.
Dyshohet se ngjarja tragjike ishte si shkak i një konflikti rreth pagesës së një fature.
Si rrjedhojë, 31 vjeçari V. C., nga Kukësi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur.
Sipas Prokurorisë autori dyshohet se është Dibran Hoxha.
Ai po ngarkohet për veprën penale ‘vrasje e rëndë’, ‘armë mbajtje’ si dhe për ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’.
Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtetasve të Shqipërisë derisa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.
Dosja e Prokurorisë pretendon se pas të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi janë plagosur, kurse nga plagët e marra shtetasi V. C. ka vdekur, ndërsa shtetasi R. Sh. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Nexhat Elshani avokat i Dibran Hoxhës për Kallxo.com dje ka thënë se klienti i tij në Polici është deklaruar i pafajshëm.
“Ai nuk është deklaruar fare. Është mbrojtur në heshtje. Nuk ka pranuar të japë deklaratë, është deklaruar i pafajshëm” – ka thënë avokati Elshani.
Policia lidhur me rastin ka bërë të ditur se gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë.
Numri i personave të ndaluar në stacionin e Policisë në Prizren, fillimisht kishte qenë 5, por më pas është ngritur në 6 persona.