Analisti dhe ekonomisti Viktor Buzhala iu bashkua sot partisë Guxo, ku do të jetë edhe pjesë e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Lajmin e bëri të ditur vetë partia përmes faqes së saj zyrtare, duke e përshkruar Buzhalën si një nga zërat më të artikuluar të mendimit kritik dhe të analizës ekonomike e politike në Kosovë.
Viktor Buzhala është ekonomist i diplomuar, gazetar dhe analist politik me përvojë shumëvjeçare.
Ai ka kontribuar gjatë viteve në formësimin e debatit publik për ekonominë, politikat publike dhe zhvillimin e vendit.
Partia Guxo njofton se me Buzhalën në listë, së bashku me profesionistë të tjerë, angazhimi i koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Alternativën dhe PShDK-në do të jetë më i fuqishëm dhe më dinamik, me qëllim zhvillimin e një Kosove të drejtë, demokratike dhe prosperuese.
