Vetëm shtatë nga 206 premtime të fushatës zgjedhore të Përparim Ramës janë realizuar në vitin e parë të qeverisjes së tij në Prishtinë. 149 premtime nuk kanë filluar ende. Qeverisja e Ramës është përfshirë në lidhjen e një kontrate kontraverze me Dukagjin Lipën, babain e këngëtares Dua Lipa. Është kritikuar edhe për politizimin e ndërmarrjeve publike.
Me mbi 200 premtime të shpalosura në fushatën zgjedhore, me synimin për ndryshime rrënjësore në Prishtinë, sot një vit Përparim Rama mori drejtimin e komunës.
Me marrjen e detyrës si kryetar i Prishtinës më 7 dhjetor, 2021, nisi zyrtarisht puna e administratës së re në kryeqytet.
Por, një vit më vonë problemet me të cilat ballafaqohet kryeqyteti mbeten të njëjtat sikurse në qeverisjen e vjetër të Shpend Ahmetit.
Rama i kishte dhënë 206 premtime në fushatën zgjedhore të vitit 2021 për kryetar të kryeqytetit, e që deri më tani vetëm shtatë prej tyre janë të përfunduara, 12 janë gjysmë të përmbushura, 38 kanë filluar e 149 nuk kanë filluar ende.
Kështu thuhet në një raport të Institutit GAP, i cili monitoron dhe mbikëqyr premtimet e dhëna në fushata zgjedhore nga kryetarët e komunave.
Nga shtatë premtimet e përmbushura të qeverisjes së Ramës në Prishtinë, sipas Institutit GAP, ndodhen ato për eliminimin e diskiminimeve gjinore në konkurset publike të komunës, ndarja e bursave për nxënësit, ofrimi i informatave orientuese për turistët, si dhe zonimi i parkingut në disa lagje të kryeqytetit.
‘Super-kontrata’ me Dukagjin Lipën
Më shumë sesa për punë praktike, 365 ditët e para të Administratës Rama në Prishtinë kanë marrë vëmendje për lidhjen e disa kontratave të Ramës nga ulësja e kryetarit të kryeqytetit. Njëra prej tyre, e cila trazoi Kosovën gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij, është marrëveshja e lidhur me festivalin “Sunny Hill”, të udhëhequr nga Dukagjin Lipa.
Në muajt e parë të qeverisjes së tij, kryetari i Prishtinës negocioi një kontratë me babain e këngëtares Dua Lipa për t’ia dhënë festivalit “Sunny Hill” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet.
Sipas marrëveshjes, “Sunny Hill”, obligohej që t’ia lë Komunës së Prishtinës këtë tokë 60 ditë brenda vitit.
Por, më shumë sesa kushtet e komunës, në kontratë ishin përfshirë ato të Dukagjin Lipës. Ai kishte vendosur se si do të duhej ta shfrytëzonte komuna tokën e saj.
E cilësuar si një “super-kontratë” mes komunës së Prishtinës dhe “Sunny Hill”-it, ajo ishte kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja qendrore që udhëhiqet prej saj.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal e kishte bllokuar kontratën. Një debat i madh publik kishte shpërthyer si pasojë e mos-marrëveshjeve mes qeverisë dhe komunës për kontratën e Ramës me Lipën.
Në fund, qeveria, komuna dhe Sunny Hill ishin pajtuar që çështja e shfrytëzimit të tokës të “diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Politizimi i ndërmarrjeve publike
Një premtim që e dha para dhe pas fushatës zgjedhore, Përparim Rama e shkeli me ‘të dyja këmbët’ disa muaj brenda mandatit të tij qeverisës.
Shefi i ri i komunës lejoi emërimin e njerëzve partiakë, të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës që udhëheqin me koalicionin qeverisës në Prishtinë, që të marrin nën udhëheqje ndërmarrjet publike lokale.
Ish-asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fisnik Osmani u zgjodh Kryeshef i Termokosit.
Se koha e njerëzve partiakë s’kishte ikur, u dëshmua edhe me emërimin e Sokol Havollit, një ish-këshilltari të ish-kryeministrit Isa Mustafa, në krye të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.
Nga emërimet e njerëzve partiakë në ndërmarrjet publike komunale, përfitoi edhe partneri i LDK-së në koalicionin qeverisës në Prishtinë, Partia Demokratike e Kosovës.
Arton Berisha, një ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, i lidhur me PDK-në, u emërua javën e kaluar në krye të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Emërimet e njerëzve partiakë në krye të ndërmarrjeve publike u kritikuan nga opozita në Kuvendin Komunal.
Edhe pse një vit në krye të Prishtinës, Përparim Rama nuk ka nisur ende asnjë nga projektet e tij kapitale – të premtuara gjatë fushatës zgjedhore – në vitin e parë si kryetar.