Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka folur sot rreth gjendjes shëndetësore të 5-vjeçarit nga Lipanit, i cili dyshohet se u keqtrajtua nga prindërit dhe tashmë po trajtohet në QKUK.
Vitia pas mbledhjes së Qeverisë, tha se gjendja e tij është stabile dhe vogëlushi ka nisur të komunikojë.
Megjithatë, sipas tij, shqetësimi në këtë rast është pjesa psiko-sociale e fëmijës, për shkak të ambientit abuziv ku ka jetuar.
“Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimin verbal. Gjendja në aspektin shëndetësor, në kuptimin e mabrëvajtjes së punës, është mirë dhe po e merr veten shpejt. Ajo që na ka shqetësuar është pjesa psikosociale e fëmijës, i cili shihet se për shumë kohë ka qenë në një ambient toksik, mos të them komplet abuziv. Të gjithë parametrat i ka në rregull”, u shpreh Vitia gjatë konferencës.
Rasti i vogëlushit, ka tronditur opinionin në Kosovë, ku është kërkuar përgjegjësi institucionale.
Derisa ditën e djeshme prindërve të 5-vjeçarit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
