Vizat italiane, Ukë Rugova dhe të tjerët mbrohen në heshtje

Vizat italiane, Ukë Rugova dhe të tjerët mbrohen në heshtje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi me paraqitjen e mbrojtjes ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Baholli dhe Izet Beqirit.

Të gjithë këta po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Akuza thotë se Ukë Rugova kishte menaxhuar këtë grup kriminal, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

I akuzuari Ukë Rugova, Astrit Haraqija dhe Qefser Baholli kanë deklaruar se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore që të mbrohen në heshtje lidhur me akuzat që i vihen në barrë.

Kurse i akuzuari Petani gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, disa herë ka potencuar faktin se ndaj tij është duke u zhvilluar një procedurë penale paralele në Itali, për të njëjtat fakte dhe çështje, me të njëjtin kualifikim juridik.

‘‘Procedura penale në Itali ka rezultuar me një aktgjykim lirues, i cili ka marr formën e prerë sepse prokuroria nuk është ankuar. Tani kjo çështje përbën çështje të gjykuar, për të cilën vlen ndalesa e gjykimit dy herë të njëjtën çështje, e cila garantohet nga neni 34 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës’’, ka deklaruar i akuzuari Petani.

Po ashtu ai ka thënë se nga fillimi i procedurës penale kundër tij, si në Kosovë ashtu edhe në Itali, sipas tij, gjithmonë ia ka bërë me dije edhe prokurorisë speciale edhe gjykatës si në Prishtinë e edhe në Romë që kanë konflikt juridiksioni.

Petani tha se ka kërkuar që të mos gjykohet paralelisht për të njëjtin çështje por që askush nuk e kishte dëgjuar, andaj kërkoi nga trupi gjykues që të merr aktgjykim refuzues për faktin se sipas tij, tani veçse ka një aktgjykimin të formës së prerë.

Ndërkaq, i akuzuari Beqiri është deklaruar lidhur me çështjen vetëm duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, e më pas ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha, ai ka thënë se nuk qëndron dhe është i pavërtetë pretendimi i prokurorisë që ai dhe Ukë Rugova të kenë krijuar, organizuar, mbikëqyr ose drejtuar aktivitetet e një grupi të strukturuar kriminal i cili është marr kryesisht me kontrabandim të emigrantëve.

Po ashtu ka thënë se asnjëherë nuk është marr me kontrabandim të emigrantëve si dhe ka mohuar pretendimet e prokurorisë që ai të ketë falsifikuar, ndryshuar, krijuar ndonjë dokument me përmbajtje të rreme, për personat e përmendur në aktakuzë.

Beqiri ka thënë se asnjëherë nuk ka pranuar çfarëdo përfitimi nga kushdo qytetar në mënyrë që atij ose familjarëve të tij të ia sigurojë vizën në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit në ambasadën italiane si dhe ka deklaruar se nuk është i përfshirë indirekt apo direkt në asnjë nga rastet e dëshmitarëve në këtë gjykim.

I njëjti ka thënë që me Ukë Rugovën dhe anëtarët e tjerë të familjes, madje edhe me ish- presidentin Rugova njihen personalisht që nga vitet e ‘90-ta, por që asnjëherë nuk kanë pasur asnjë aktivitet të biznesit të përbashkët me ta.

Ashtu siç ka thënë se nuk ka pasur biznes të përbashkët me asnjë nga të akuzuarit e tjerë në këtë çështje penale.

Kurse, në lidhje me armën-pistoletën e sekuestruar në shtëpinë e tij, Beqiri ka thënë se lidhur me atë armë ka pasur leje të lëshuar nga autoritetit kompetent, madje edhe më vonë ishte pajisur me leje për armë tjetër, pasi që sipas tij, është konstatuar se arma është legale.

Po ashtu, Beqiri ka deklaruar se mbetet pranë deklaratave të dhëna përballë policisë së EULEX-it.

Ndërkaq ka thënë se viza e tij ‘shengen’ është origjinale e lëshuar nga ambasada italiane dhe sipas tij në asnjë mënyrë nuk kishte ndikuar dhe as nuk kishte dhënë ndonjë përfitim për të.

Pas deklarimit të të gjithë të akuzuarve, kryetarja e trupit gjykues tha se meqë gjykata ka kërkuar përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga Gjykata e Romës, përgjigjen nëse aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të Romës, me të cilën i akuzuari Florijan Petani është liruar nga akuza ka marr formën e prerë dhe ende nuk ka përgjigje, seanca e sotme ndërpritet si dhe seanca e paraparë për 11 maj 2022 anulohet. / Gazeta Enigma.

Related Articles