Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqipërim Pula, ka thënë se vizita e sotme e Emisarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, është sinjal se po bëhen përpjekje për të nxitur Qeverinë Kurti që të ofrojë ide për zgjidhje në tavolinën e dialogut.
“Ardhjet e kohëpaskohshme të të Dërguarit të SHBA-së janë një përpjekje për të nxitë Qeverinë e vendit që të ofrojë ide kreative për t’i dhënë zgjidhje temave të cilat tashmë nuk kanë arritur t’i zgjidhin prej vitesh”, tha Pula në Info Magazine.
“Çdo vizitë që bëhet në vendin tonë duhet kuptuar si një lloj presioni, sepse natyrisht në ato takime ka kërkesa konkrete, prandaj çdo kërkesë, në vetvete ka edhe pjesën e presionit, sepse e dimë se ka edhe afate kohore, pra nëse nuk përmenden me ditë, mund të përmenden me muaj afatet kohore”.
Pula tha se Qeveria do të duhej të sillte në tavolinë ide kreative për një zgjidhje afatgjatë.
“Ne do të duhej të ishim ata që do të duhej të ofronim në tavolinë ide shumë kreative, në mënyrë që ato ide pastaj të jenë elaboruse edhe për palën tjetër edhe për Brukselin zyrtar”, tha Pula.