Të dielën dyshohet se është kryer vjedhje në banesën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me rastin policia konfirmon arrestimin e një gruaje 33-vjeçare me inicialet N.K.
Arrestimin e saj e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për një rast vjedhje e rëndë që është raportuar me datën 01.10.2023. Puna e hetuesve policor, është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarën: N.K. femër, 33 vjeçare, shtetase e Republikës së Kosovës”, tha Ahmeti.
E dyshuara me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje.
“Ndërkohë që hetuesit e stacionit policor po kryejn veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, tha Ahmeti.
Rasti i vjedhjes është bërë i njohur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Prishtinë. 01.10.2023 – 08:00. Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur kanë depërtuar në banesën e saj dhe nga aty kanë kryer vjedhje”, thuhej ndër të tjera në raportin e PK-së.
Në media u raportua se në banesën e ministres u vodhën stoli, kartela bankare etj.